Date of Award

Fall 9-2014

Document Type

Thesis

Degree Name

Bachelor Degree

Department

Law

First Advisor

Liridon Shurdhani

Language

Albanian

Abstract

Në këtë punim do të përqendrohemi kryesisht në shmangien që i bëhet qëllimit primar të përdorimit të kësaj teknologjie (komunikimit). Keqpërdorimi i saj nga elementë kriminelë njihet me emrin krim kompjuterik ose krim kibernetikë.

Në praktikën e përditshme konstatohen dy lloj sjelljesh përballë fenomenit të krimit kibernetikë. Në njërën anë kemi përdoruesin e përditshëm i cili udhëhiqet shumë shpesh nga ideja që “e keqja shkon gjithmonë tek të tjerët”. Në anën tjetër, kemi specialistët e fushës që udhëhiqen diametralisht nga kundërta, domethënë që “ të tërë jemi të barabartë, të paktën në terma matematike, ndaj probabilitetit të të qenit objekt i një sulmi kriminel”. Ndryshe nga përdoruesi i zakonshëm, specialisti i kushton kohë analizës së fenomenit për të kuptuar funksionimin e tij.

Duhet theksuar fakti që në asnjë moment dhe në asnjë rrethanë nuk duhet të biem pre e idesë që një ditë këtë probabilitet mund ta bëjmë zero.

Përdorimi i teknologjive të reja të informacionit dhe veçanërisht i Internetit ka marrë një rëndësi të veçantë në jetën e përditshme. Ky fenomen prek jo vetëm aktivitetet e një organizmi qoftë ai shtetëror apo privat, i implikuar në sferën e biznesit apo të një aktiviteti jo fitimprurës, por mund te prekë dhe njeriun e thjeshtë në aktivitetin e tij të përditshëm, në sferën e tij private apo profesionale.

Si çdo teknologji e re e vënë në dispozicion të një numri të madh përdoruesish, Interneti paraqet jo vetëm të mira dhe përfitime, por në të njëjtën kohë dhe një sërë problemesh. Duke qenë një teknologji “e liberalizuar” prej disa kohësh, siç përdoret në zhargon, nuk ia vlen të zgjatemi në diskutimin e përfitimeve që sjell përdorimi i kësaj teknologjie. Anën e përfitimeve mund ta përmbledhim për momentin në një frazë te vetme: komunikim (në kuptimin e gjerë të fjalës) i shpejtë, i pakushtueshëm dhe tërësisht i pavarur nga nocioni i distancës.

DOI

10.33107/ubt-etd.2014.345

Included in

Law Commons

Share

COinS